Në burg drejtoresha e mashtrimit me kreditë, sekserja: Më përdorën, përfshiva edhe fëmijët

22 Gusht 2019, 16:47

TIRANE  -  Gjashtë zonjat e arrestuara nën operacionin “Kredia”, mes tyre drejtoresha e filialit të fondacionit të kredive të vogal "Besa", Albana Imami do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.

ReportTv ka siguruar dosjen e plotë të Prokurorisë ku rezulton se kallëzimi është bërë nga fondi Besa pasi ishte pikasur skema piramidale e ngritur nga Imami brenda kompanisë. Sipas hetimeve, ajo kërkonte nga vartësit gjetjen e klientëve për marrje kredie të cilët realisht merrnin kredi nga 10-30 mijë lekë ndërsa në letra pa dijeninë e tyre firmosej kredi me vlerë prej 150-500 mije lekë.

Mes të arrestuarve që do të qëndrojnë në burg janë edhe oficerët e kredive, Blerina Kanani, Matilda Domi, dhe Mihal Hanxhari si dhe ndërmjetësuesja për gjetjen e personave për kredi fiktive Orkida Driza. Ndërsa Esmeralda Vaso, 38 vjeçe, oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit do të qëndrojë nën masën e sigurisë "arrest shtëpie".