'Në fillim pati tym, më pas dolën flakët', tifozi i Partizanit rrëfen djegien e autobuzit

19 Gusht, 16:01

Superkupa e Shqipërisë e zhvilluar të dielën ka rrezikuar të kthehet në një tragjedi. Kjo për shkak se një autobus i tifozëve të Partizanit është shkrumbuar tërësisht gjatë kthimit për në Tiranë, pas përfundimit të ndeshjes. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11 të ditës së dielë dhe brenda autobuzit bëhet e ditur se kanë qenë rreth 30 tifozë të skuadrës së kuqe.

Fatmirësisht nga situata e krijuar nuk ka patur asnjë të lëndur. Për ‘report TV’, njëri nga tifozët i cili ka qenë brenda autobuzit dhe nuk kërkon të identifikohet, ka rrëfyer ngjarjen. “Teksa po ecnim fillimisht pamë se autobuzit po i dilte tym. Disa çaste më vonë kuptuam se ishte djegur motori dhe si rrjedhojë filluan të dilnin flakët. Në ato momente patëm pak vështirësi teksa dilnim jashtë, por kur zbritëm të gjithë ishim mirë.”

Në pamjet e siguruara nga ‘Report TV’ dallohet autobuzi i cili është përpirë i gjithi nga flakët. Edhe pse zjarrfiksja është mundur të vendosë nën kontrrol situatën në fund autobuzit i ka mbetur vetëm skeleti. Të gjithë tifozët që kanë qenë brenda tij janë larguar më pas me automjete personale.

Të 30 ata që gjendeshin brenda autobuzit ishin me vendbanim në Tiranë dhe më herët gjatë të dielës kishin udhëtuar në Elbasan për ndeshjen e Superkupës kundër Kukësit.

Kategori të tjera