POGRADEC - Fshati Leshnicë dhe Gurras në Pogradec cilësohen si vatrat kryesore të rekrutimit të të rinjve për të shkuar si luftëtarë të ISIS në Siri. Familjarët e të rinjve mes dhimbjesh tregojnë se u bënë vite që nuk kanë asnjë kontakt me ta.
"Veç ta shoh një herë në ëndërr, të çmallem me ta...", thotë e përlotur nëna e Ervis Alinjit, Hurma Alinji.
Report Tv ka udhëtuar drejt fshatit Leshnicë në familjen e Ervis Alinjit 31 vjecarit të zhdukur prej 6 vitesh. Prindërit e tij mes lotësh apelojnë për kthimin e djalit në atdhe, ndërsa tregojnë se para disa ditësh në zonën ku ata jetojnë kanë parë tre persona me mjekër dhe të veshur me të bardha dhe dyshojnë se njëri prej tyre ishte Elvisi..
Hurma Alinji: Jam në Turqi mami, varet se kur vij tha. Ai tha do vete në Gjermani të rregulloj të vëllanë që bëri aksident. Kanë kaluar kaq vite, asgjë nuk di. Kishin qenë tre mjekroshë, dhe ndaluan në lokal, dy të gjatë një i shkurtër. Kishin vënë syze që mos të njiheshin. Një ishte me fustan të bardhë u fal aty, lanë duar, lanë sytë e ikën. Radhën e tretë që kaluan, mora fshesën e po ikja, mora kthesën, ai nxori kokën e më shikonte.
Gazetarja: Pse nuk shkuat ta takonit?
Hurma Alinji: Epo na ngriu perëndia
Gazetarja: Mendoni se i ka bërë diçka që nuk erdhi?
Hurma Alinji: Po ku i dihet, po të ishte ashtu do vinte
Për largimin e djalit të tyre ata akuzojnë ish-imami i xhamisë në Leshnicë të Pogradecit, Almir Dacin, i cili sipas tyre nuk ka vdekur siç është raportuar, por ndodhet në Turqi. Për të, në prill të vitit 2016, kur kishte 2 vite që i ishte bashkuar ISIS, u raportuan lajme se është vrarë.
"Almir Daci ai më shkatërroi djalin, e keni në Turqi le të shkojë ta marrë shteti, janë gënjeshtra, ai nuk është vrarë. Unë si baba, djalin e kam gjallë", thotë babai i Ervis Alinjit, Hamdi Alinji.
Almir Daci, i cili në Siri njihej ndryshe me emrin Ebu Belkisa, kërcënoi shqiptarët e Shqipërinë me sulme terroriste në qershor të 2015. Ai ishte në kërkim nga autoritetet e drejtësisë në Shqipëri, pasi akuzohej për nxitje dhe thirrje publike për vepra terroriste; si dhe për rekrutim të personave për akte terroriste. Në Siri kanë mbetur edhe bashkëshortja dhe fëmijët e tij, fati i të cilëve nuk dihet.
Ndërkaq nëna e Almir Dacit, i akuzuari kryesor për rekrutimin e të rinjve drejt Sirisë, në gjendje të rënduar psikologjike shprehet se nuk ka dijeni për vendndodhjen e djalit të saj.
Asie Shuli nga fshati Gurras, e cila në Siri ka djalin Krenar Shulin, nusen dhe tre fëmijët i bën thirrje shtetit për kthimin e tyre në shtëpi.
Ndërkohë disa ditë më parë gazetarët e emisionit investigativ “Le Iene” publikuan historinë e 11-vjeçarit, Alvin Berisha i cili mbahet në kampet e ISIS në Siri. Ai ka lindur në Itali, por në moshën 6-vjeçare në vitin 2014 nëna e tij e mori dhe iku në Siri për t'iu bashkuar ISIS së bashku me bashkëshortin e ri, një xhihadist. Gjatë bombardimeve e ëma humbi jetën ndërsa Alvini është plagosur në këmbë. Për këtë rast ka pasur një prononcim nga vetë kryeministri Edi Rama i cili tha se është e vështirë nxjerrja e tij dhe bashkimi me babanë, por ka një plan me partnerët për t'i larguar nga ato kampe që janë nën pushtetin e kurdëve.