Në Itali ngadalësohet rritja progresive, Giuseppe Conte thirrje BE

30 Mars 2020, 13:14

Në botë numri i përgjithshëm i të infektuarve nga koronavirusi ka shkuar në mbi 720 mijë kurse numri i viktimave është rritur në mbi 34 mijë.

Ngadalësohet me shpejtësi rritja progresive e infeksionit nga Covid-19, por Italia është ende larg për të folur për një prirje të konsoliduar. Numri i infeksioneve të reja është i qëndrueshëm, ndërsa totali është afër njëqind mijë raste.

Pas më shumë se një muaj nga fillimi i emergjencës nga koronavirusi, sot nis dhe prodhimi i maskave ‘Made In Italy’ ndërkohë që numri i personelit mjekësor i infektuar është rreth 8350.

Italia, së bashku me Spanjën, kanë regjistruar më shumë se gjysmën e viktimave.

Duke parë numrat e fundjavës që shkoi, numri më i mprehtë ishte ai i vdekjeve por që për tre ditë rradhazi kishte një trend zbritës çdo herë me 10-15% në ditë, gjë që tregon se sistemi shëndetësorë po i përgjigjet situatës dhe gjithashtu tregojnë efektivitetin e masave të marra nga qeveria italiane.

Kina renditet pas Italisë me mbi 82 mijë të prekur nga Covid-19 dhe mbi 3300 viktima.

Spanja, një nga vendet europiane më e goditura nga pandemia dhe që këto ditë pret pikun e infeksioneve, në 24 orët e fundit regjistroi rreth 820 vdekje për një total prej më shumë se 6800 viktima dhe rreth 80 mijë të prekur nga infeksioni.

Në Gjermani numri i të infektuarve është më shumë se 62 400, por gjithsesi numri i vdekjeve mbetet ende i ulët, rreth 540. Në 24 orët e fundit në vend u regjistruan 92 viktima

Sipas autoriteteve franceze, në 24 oret e fundit u regjistruan 292 viktima kurse të prekurit nga Covid-19 janë rritur në mbi 40 700 për një total vdekjesh prej rreth 2600.

Britania e Madhe ka regjistruar rreth 20 mijë raste të identifikuara më koronavirus. Sipas Universitetit Johns Hopkins, numri i vdekjeve është rritur në mbi 1230 teksa në 24 orët e fundit u regjistruan 209 viktima.