Në kërkim të hijes, qytetarët presin në radhë jashtë Onkologjikut

14 Gusht 2020, 19:20

Qytetarë nga e gjithë Shqipëria vijnë në spitalin onkologjik në QSUT për të marrë trajtime mjekësore. Ata duhet të presin çdo ditë me orë të tëra në radhë për t'u futur brenda dhe për të marrë shërbimin onkologjik. Nën temperaturat e larta të muajit gusht, pa pasur asnjë vend për të qëndruar, këta qytetarë detyrohen të gjejnë një hije apo të presin brenda makinave të tyre deri sa dikush nga recepsioni tu thërras emrin për t'u futur brenda. -“Kam 2 orë, po kam motrën brenda. Më përpara kemi pas ndenjur brenda kësaj here po rrimë përjashta. Vështirë është, diell të dhemb koka, vapë është. Ca të bëjmë, të bën nevoja që kam motrën, do t'i vijmë mbrapa. -Të rrish në këmbë këtu për shembull në moshën time, të paktën ata duhet të vendosin një stol, të bëjnë një hije, se mushama ka sa të duash për të bërë hije, po ata se marrin mundimin. Spitali infektiv është 30 metra larg, detyrimisht që do ruhesh s'ke çfarë të bësh. -Kemi shumë këtu që presim. Kushtet, hyjnë siç u do qejfi atyre, me mik thërrasin, ja çfarë bëhet. Frikën e kemi po kemi për të bërë konsultën edhe do vish, një herë në 6 muaj, një herë në 3 muaj si ta kesh. -Ne jemi të sëmurë, të kishim një vend për të qëndruar, një stol, një karrige, diçka. -Në orën 08:00 kam ardhur nga Shkodra, tani do mbaroj punë apo jo nuk e di. Me këtë temperaturë të rrish kështu në këto kushte është e tmerrshme. Të krijojnë që të paktën të rrimë në hije, edhe kur të vi radha të shkojmë atje, po jo të qëndrojmë që në orën 08:00 këtu edhe mbaroj apo nuk mbaroj punë. -Kam që në orën 10:00 këtu, të kishim një karrige më mirë do të ishte. Infektimin po e kemi pak frikë, jo pak po shumë, ne mosha e vjetër e marrim më shpejt.