"Në Librari" me katër tituj të rinj. Nga "Tinguj që rrëfejnë" te "Dalia" dhe "Letër Mbretit"

22 Shkurt 2021, 15:46 | Përditesimi i fundit: 2021-02-22 15:50:24

Rubrika “Në librari” sjell këtë fundjavë katër tituj të rinj. Etnomuzikologia Mikaela Minga boton monografinë për muzikën elbasanase “Tinguj që rrëfejnë, tinguj që rrëfehen”. Nuk mungon as libri “Për cilin qytet e ke fjalën” për identitetin tonë urban edhe “Dalia” i Luan Ramës, një roman që rrëfen një ngjarje të vërtetë

Libri 1 Etnomuzikologia Mikaela Minga boton monografinë “Tinguj që rrëfejnë, tinguj që rrëfehen”. Studiuesja përmes regjistrimeve të ruajtura në arkivin audiovizual të IAKSA-s dhe intervistave në terren i krijon mundësinë lexuesit, që të reflektojë mbi raportin që ka pasur moderniteti i planifikuar i diktaturës komuniste me tingullin si praktikë njerëzore

 Libri 2 Arkitektët Maksim dhe Joli Mitrojorgji sjellin “Për cilin qytet e ke fjalën?”. Një botim që na rrëfen nevojën e rimëkëmbjes urbane në qytetet tona, vlerësimin e peizazheve historik, por mbi të gjitha zbatimin e ligjit për trashëgiminë kulturore, mbi atë të Planifikimit të territorit.

Libri 3 Romani “Dalia” i Luan Ramës ka në qendër dy gra, që fati i detyron të bashkëjetojnë me të njëjtin burrë për shkak të ligjit të maleve, Kanunit. Një nënë, për hir të fëmijës, pas vdekjes së bashkëshortit martohet me kunatin. Por, ngjarjet që trazojnë dy gratë fillimisht do të marrin tjetër rrjedhë, deri sa mes tyre lind dashuria. Libri 4 Romani për adoleshent “Letra për mbretin” i Tonke Dragt ka në qendër Tiurin, një djalë të cilin kushdo do të donte t’i ngjante, për trimërinë, guximin dhe misionin e rrezikshëm që ndërmerr, duke udhëtuar në tre mbretëri për t’i dhënë një letër të fshehtë Mbretit.