“Në Librari” me katër tituj të rinj. Nga "Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri -SHBA 1939-'46" tek vargjet e Alda Merinit në gegnisht

28 Shkurt 2021, 17:45 | Përditesimi i fundit: 2021-03-04 16:52:48

Rubrika “Në librari” sjell këtë fundjavë katër botime të reja. Historiani Hamit Kaba rrëfen marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe ShBA-s. Nuk mungojnë as vargjet e Alda Merinit në gegnisht, ndërsa për këdo që ka përjetuar pandeminë Covid 19 vjen romani “Rruga e qumështit” edhe “Tobi” për fëmijët.

Studimi “Nga lufta në paqe, Shqipëria dhe SHBA” i Hamit Kabës ka në qendër marrëdhëniet e dy shteteve në vitet 1939 deri në 1946-n. Historiani, thekson, se ndërmjet dy vendeve nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike gjatë kësaj periudhe

Vëllimi poetik “E çmendun, e çmendun, e çmendun dashunie për ty” i Alda Merinit vjen nën shqipërimin e Ledia Dushit. Në vargjet e poetes së njohur italiane, e cila disa vite të jetës i kaloi në një klinikë psikiatrike, por pa i humbur kthimet e herëpashershme në familje, dominon dashuria.

Romani “Rruga e qumështit” i Iva Musarajt sjell tronditjet dhe gjurmët që la pandemia Covid 19 gjatë vitit 2020. Por, përpos kësaj, koha nuk ndali, jeta vazhdon dhe njerëzit kërkojnë alternativa, që mbi të keqen të mbizotërojë e mira.

Pas romanit “Tobi, një milimetër e gjysmë guxim”  i Timothee de Fombelle nën shqipërimin e Adriana Koxhaj vjen vëllimi i dytë “Tobi”, Sekretet e Pemës”. Në këtë botim me ilustrime lexuesit e moshës dhjetë deri në katërmbëdhjetë vjeç, do të njihen me përpjekjet dhe aventurat e Tobit për të shpëtuar botën e kërcënuar nga shkatërrimi.