Në mesjavë nis sezoni i ri i Kupës së Shqipërisë, ndeshje të lehta në letër për ekipet me emër

16 Shtator 2019, 14:00

Të mërkurën do të startojë edicioni i ri i Kupës së Shqipërisë që është edhe trofeu i dytë prestigjioz në futbollin tonë. Shpeshherë është parë si shpëtimi i sezonit nga skuadra të cilat kanë performuar nën pritshmëri në kampionat, por të shumta kanë qenë edhe rastet kur janë bërë akuza për tolerime, të cilat kanë ardhur si pasojë e aleancave që kurrë nuk janë provuar.

Ky kompeticion gjithsesi është edhe mundësia që skuadra nga qytet të vogla të bëjnë historinë, pasi shorti mund ti vendosë përballë ekipeve më me emër në vendin tonë. 32 skuadrat pjesmarrëse ashtu si në edicionet e shkuara janë ndarë në dy grupe, A dhe B, ku bëjnë pjesë 16 ekipe, të cilat përkthehen në tetë ndeshje.

Të gjithë përballjet do të jenë me sistem vajtje-ardhje, ndërkohë që për ekipet e traditës starti duket i lehtë. Partizani kampion i Superligës kundërshtarin e parë në Kupë do të ketë ekipin e Vorës, që militon në kategorinë e dytë. Të kuqtë këtë edicion do të synojnë të thyjnë një tjetër mallkim pas atij të kampionatit, pasi kupën nuk e fitojnë prej sezonin 2003-2004.

Ndërkohë Kukësi, që është edhe ekipi kampion në fuqi, kundërshtarin e parë do të ketë ekipin e Shkumbinit, ndërsa Skënderbeu do të luajë përballë Devollit. Një kundërshtar i lehtë në letër duket edhe për Tiranën, e cila sfidohet nga Shënkolli. Në rast se takimet ecin sipas pritshmërive, atëherë në çerekfinale do të kemi derbin Tirana-Partizani.