Në Morinë vetëm kamionë me mallra! Kontrolle në Kukës për rritjen e çmimeve

16 Mars 2020, 11:26

Ashtu siç ishte paralajmëruar kufiri Shqipëri- Kosovë është mbyllur tërësisht. Sipas vendimit të dy qeverive, në doganën e përbashkët Morin lejohen vetëm mjetet e transportit të mallrave. Madje leje kalimi në dy anët e kufirit është i kushtëzuar për çdo mjet vetëm një person, përkatësisht shoferi i mjetit pa shoqërues. Në drejtim të Kosovës ka më tepër automjete ndërsa procedura e kontrollit është nën masa të rrepta sigurie. Personeli mjekësor i atashuar në dy anët, policia kufitare dhe punonjësit e doganës janë me masa mbrojtëse ndërsa shpeshherë përsëritet edhe procesi i dezinfektimit. Rruga e kombit vijon të jetë e boshatisur ndërsa Kukësi është futur në izolim total. Postoblloqet e policisë janë vendosur në katër hyrjet kryesore të qytetit dhe nuk lejojnë qarkullimim e mjeteve pa autorizim përkatës. Policia bashkiake ka vijuar kontrollet në të gjitha njësitë e shërbimit dhe njësia e përbashkët e Task Forcës po merret edhe me verifikimin e çmimeve dhe masa për abuzime të mundshme.