Në muajin korrik u treguan mallra me vlerë 80 mld lekë, ose 7 mld më pak se në 2019

27 Gusht 2020, 17:08

TIRANË- Tregtia e mallrave asnjëherë nuk ka qenë e bllokuar si pasojë e pandemisë. Por masat anti-COVID-19 ndikuan në shumë ekonomi botërore duke ulur prodhimin, e për pasojë pati rënie në tregtinë e mallrave.

Pas një rënie të thellë në muajin Maj dhe Qershor, situata me transportin e mallrave është përmirësuar dhe po minimizohen edhe rëniet. Instituti i Statistikave raporton për një rënie me 7.9% të volumit të mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara në porte në muajin korrik, e cila është më e lehtë se rënia e 2 muajve paraardhës. Në total në muajin e kaluar në porte janë transportuar 378 mijë tonë mallra.

Rënia më e madhe e transportit të mallrave por edhe pasagjerëve është tek rrugët hekurudhore. Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë në muajin Korrik 2020 është 2,2 milionë tonë-kilometër, duke u ulur me 38,6 %, krahasuar me Korrik 2019.

Po ashtu rënie të ndjeshme me 19,2 % ka pësuar edhe volumi i mallrave të transportuara me ajër. Në total në muajin korrik vlera e mallrave të tregtuara import dhe eksport është mbi 80 miliardë lekë, duke pësuar një rënie me 7 miliardë lekë në raport me të njëjtin muaj të vitit 2019 kur u tregtua 87 mld lekë.

Ndërkohë numri i fluturimeve të kryera, në Korrik 2020 është 1.926 duke shënuar një rënie me 40,1 %, ndaj Korrik 2019.