TIRANE - Kryeministri Edi Rama thotë se nuk dihet se cfarë vendimi do të merret në mbledhjen e Këshillit Evropian më 18 tetor, por thotë se nuk është krejt e pamundur që Franca të pranojë një kompromis për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për tu integruar në Bashkimin Evropian. Rama tha se qëndrimi i Francës i shprehur hapur edhe nga presidenti Emanuel Macron nuk ka të bëjë me arritjet që ka bërë vendi ynë, por me qëndrimin e Parisit zyrtar për reformimin më parë të Bashkimit Evropian, në një kohë kur blloku po përballet me sfida të shumta, siç është Brexit dhe migracioni.
"Vijon intensivisht debati brenda Bashkimit Europian për një vendim të dakordësuar mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tanimë dihet edhe botërisht edhe ajo çka unë e kam ndarë prej kohësh këto ditë, shumica dërrmuese e shteteve anëtare duan çeljen e menjëhershëm të negociatave për anëtarësim me të dyja vendet, edhe me Shqipërinë, edhe me Maqedoninë e Veriut, pa kushte. Gjermania, e cila sot udhëheq frontin e “PO”-së, ka zgjedhur një pozicion të ndryshëm nga ai i shumicës së vendeve anëtare. Ajo e ka lidhur “PO”-në me disa kushte, të cilat janë të arsyeshme për ne dhe jo të parëndësishme për të afruar Francën dhe dy a tre vendet që deri sot janë në pozicion të pafavorshëm lidhur me pritshmërinë tonë. Franca dhe ato dy a tre vende nuk kanë dalë sidoqoftë ende në një pozicion përfundimtar dhe siç është plotësisht e mundur, të mos lëvizin deri në fund nga pozicioni i tyre, nuk është krejt e pamundur që të pranojnë një vendim kompromisi.Presidenti i Francës ka një vizion dhe qasje publikisht të shpallur prej ditës së parë të zgjedhjes së tij, për një reformim të thellë të Unionit, përpara sesa të vazhdohet me zgjerimin e Bashkimit Europian. Emanuel Macron nuk është i gatshëm të shtyjë më fort integrimin e europian të Ballkanit Perëndimor, pa shtyrë më parë reformimin e vetë Unionit. Kjo qasje e Francës është konceptualisht e shpërputhur nga qasja tradicionale që karakterizon frontin e “PO”-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Por ka shumë rëndësi të kuptohet se kjo nuk është kurrsesi një qasje kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në vetvete, apo perspektivës së Ballkanit Perëndimor në tërësi.