Në pritje të një sezoni turistik të lehtësuar, nis vaksinimi i operatorëve turistikë! Së shpejti do të vaksinohen punonjësit e transportit dhe fasonët

17 Prill 2021, 16:25

Ka nisur këtë të shtunë vaksinimi i operatorëve turistikë në Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Gjirokastër, kundër koronavirusit. Vetëm ditën e sotme, në Durrës janë regjistruar 450 persona nga personeli i hoteleve dhe restoranteve, të cilët do të marrin vaksinën kineze Sinovac. Procesin e ndoqi edhe kryeministri Edi Rama, i cili bëri me dije se së shpejti pritet të nisë edhe vaksinimi i punonjësve të transportit publik si dhe i atyre të fasonerive. E pranishme ishte edhe ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila u shpreh se në të gjithë vendin janë regjistruar mbi 2 mijë punonjës dhe se ata do të pajisen me certifikatë individuale vaksinimi.

Ndërkohë, ditën e nesërme pritet të fillojë vaksinimi i operatorëve turistikë edhe në Kukës, ndërsa të hënën në Krujë.