Në studion e Sefedin Stafës, piktori i filozofisë së ngjyrave dhe dritës

12 Janar 2020, 09:01

Këto peizazhe, portrete, trazime të natyrës, të punuara me bojëra vaji, shpërfaqin idenë e një harmonie të thellë mes subjektit, objektit dhe shpirtit. Ndërsa hyn në studion e piktorit  Sefedin Stafa, vizitori mund të prek të gjitha raportet e harmonisë. Shpërthejnë ngjyrat dhe ashtu të derdhura në telajo me ato flukse drite të prekin në emocione.

Ndjeshmëria ishte e para, pikërisht ajo që dhjetë vjet më parë e ka detyruar piktorin që të ndjek ritmin e zemrës e të kthehet kundër rrymës në kohë të vështira në atdhe. Sefedin Stafa, autori i disa veprave të strehuara në galeritë e Greqisë, Gjermanisë, Italisë, Zvicrës apo në Kanada e gjetkë  punon pa e hequr penelin nga dora dhe nuk ndihet kurrë i lodhur. Në të kundërt, rruga e tij e artit nuk do të ishte kaq e gjatë.“Rruga ime ka filluar shumë herët. Unë kam filluar që 8 vjeç të punojë me bojëra vaji. E kam filluar pikturën me një profesor Tahir Tahiraj në Burrel, që tani nuk jeton më, dhe me kalimin e viteve kam pasur profesor për gati pesë vjet Fatmir Haxhiun, një piktor skrupuloz, një piktor batalist që i mungon artit tonë. Dhe tek profesor Fatmiri ishte tamam një shkollë, jo një lice, por ishte një Akademi. Më vonë pastaj, gjatë studimeve në Akademinë e Arteve kam pasur fatin që të kem profesor Sali Shijakun, Guri Madhin, Hektor Dulen, piktorë dhe skulptorë tepër të talentuar. Janë ata që kanë vënë gurët e artit shqiptar. Ne në atë kohë, pavarësisht se ishte art i realizmit socialist, por e vërteta është se nuk mund të ekspozohej në atë kohë, nëse nuk kishte vlerë artistike, kishte kompozime. Sot kanë filluar të bëjnë një pikturë pak të lehtë, është futur një lloj filozofie brenda, por është një pikturë që nuk të mban. Ne me brezin tim dhe disa piktorë të plenerit dalim e pikturojmë në natyrë, dhe janë pasuruar veprat me këto elementë, dhe nga ana tjetër nxjerrin në pah vlerat e bukura të natyrës në vendin tonë.