Ka degjeneruar në përplasje mes banorëve dhe drejtuesve të makinave, protesta tek "Astiri", e cila është përmbyllur me një incident. Nën errësirë totale, në mes të rrugës, banorët e zonës së Astirit, në protestën e radhës që i ka kaluar mbi 5 muaj, hasën në revoltën e shoferëve, njëri prej të cilëve ka kaluar me shpejtësi në mesin e njerëzve, por pa shënuar të lënduar. Protesta, prej muajsh transmetohet drejtpërdrejtë edhe në faqen zyrtare të Partisë Demokratike në Facebook, dhe në video dëgjohet edhe momenti kur makina shton shpejtësinë, përplaset me disa objekte në rrugën në ndërtim, dhe largohet. Dëgjohen të bërtitura grash dhe fëmijësh të trembur. Ky moment u cilësua si provokim nga ana e banorëve protestues. Partia Demokratike pretendon se Policia ndodhej shumë pranë vendit të ngjarjes por nuk ka ndërhyrë.
"Mos u bëni pre e provokimeve. Banorë distancohuni nga shoferët janë thjesht provokacione. Edhe shoferët të ruajnë qetësinë. Po shtypen njerëz, ku është policia që paguajmë ne, që mbron krimin. Edi Rama po bën krim, që na marrsh të ligat ne", u dëgjuan banorët.