Në tetor 2020 Delvina me rrjet të ri ujësjellësi, Qilimi: Garantohet furnizimi 24 orë

14 Janar 2020, 18:51

Kanë nisur punimet për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit në qytetin e Delvinës, një investim që kap vlerën e rreth 2.2 milionë euro. Përveç mungesës së furnizimit me ujë të pijshëm, banorët e Delvinës përballeshin prej vitesh me ndotjen e ujit që rridhte në çezmat e tyre për shkak të amortizimit të rrjetit.

Kryetarja e Bashkisë Delvinë, Majlinda Qilimi, shprehet për Report Tv se me përfundimin e investimit në tetor të këtij viti, banorëve të Delvinës iu garantohet  furnizim 24 orë me ujë të pijshëm.

"Është një lajm i mirë që unë e ndaj me banorët e qytetit për fillimin e punimeve. Mendoj që projekti do përfundojë brenda afateve dhe me cilësi shumë të mirë. Është një problem disa vjeçar dhe tani do marrë fund problemi për ujin e pijshëm”, - tha Qilimi.

Deputeti Alket Hyseni tha se krahas Delvinës do të shihet mundësia për fillimin e punimeve për ujin e pijshëm dhe në fshatra.

“Ne shpresojmë të gjejmë mirëkuptimin e banorëve sepse do ketë çarje të rrugës dhe ndërprerje të ujit. Në fund të tetorit është afati i fazës së parë dhe do vazhdojmë me qeverinë për të parë mundësinë për ujësjellësin edhe në fshatra”, tha Alket Hyseni, deputet i Partisë Socialiste.