Në Tiranë, gjithçka i ngjan një 'shtetrrethimi'! Situata pas ndalimit të qarkullimit të makinave

13 Mars 2020, 08:17 | Përditesimi i fundit: 2020-03-13 08:53:30

Nga ora 06.00 e mëngjesit të sotëm, asgjë në rrugët e Tiranës nuk i ngjante një situate normale me të cilën jemi mësuar në përditshmërinë tonë. Rrugët e boshatisura, me automjete aq të pakta në numër saqë nuk e shuajnë ndjesinë dhe panoramën e një shtetrrethimi. Në rrugë, efektivë të shumtë të policisë dhe forca të ushtrisë, për të kontrolluar nëse qytetarët që kanë dalë me automjete kanë autorizim nga Policia e Shtetit dhe një arsye të mirëjustifikuar. Kjo situatë pritet të jetë deri të dielën në mesnatë. 

Dje kryeministri Edi Rama shpalli masat ekstreme kufizuese për parandalimin dhe mbrojtjen nga koronavirusi. Automjetet private, taksitë dhe transporti urban janë pezulluar në 8 qarqe për tre ditë, në një izolim të domosdoshëm, që si vende të tjera në botë të prekura nga koronavirusi, po e sulmojnë atë duke qëndruar në shtëpi, duke shmangur kontaktet me grumbullime njerëzish, dhe mbi të gjitha, duke respektuar rregullat e rekomanduara nga OBSH për higjienën personale. 

Deri më tani, po shihet një ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve. Të paktën në Tiranë. Të vetmet automjete që u panë ishin ato që transportonin stafet e institucioneve të ndryshme, mediave, disa ambulanca, e tek tuk edhe ndonjë person që për të shkuar në punë kishte zgjedhur biçikletën. 

Pritet të shihet nëse ky ndërgjegjësim për të mirën e gjithsecilit prej nesh, e mbi të gjitha për shëndetin e të afërme të moshuar, prindërve e gjyshërve tanë, që janë edhe më të rrezikuar nga infektimi dhe pasojat fatale nga COVID-19.

    No videos found.