Negociatat, ish-ministri i Jashtëm: Diplomacia shqiptare dështoi, urgjent zgjedhje të parakohshme

21 Tetor 2019, 18:31

TIRANE- Ish-ministri i jashtëm Edmond Panariti, shtyrjen e hapjes së negociatave për Shqipërinë e ka quajtur një dështim të diplomacisë shqiptare. Në një intervistë për Report tv, Panariti thotë se diplomacia e vendit tonë nuk kishte asnjë ofertë për vendet skeptike në mënyrë që të uleshin për dialog, duke sjellë si rezultat dhe rritjen e skepticizmit nga ana e disa prej shteteve anëtare të BE. 

“Diplomacia shqiptare nuk kishte ofertë për partnerët e saj, që të ulesh në dialog duhet të kesh një ofertë, një produkt. Çfarë ofroi Shqipëria? Një demokraci të dhunuar. Zgjedhje që u dënuan dhe nga raporti i OSBE/ODHIR,  zgjedhje të deformuara nga ndërhyrjet në kutitë e votimit, natyrisht dhe zgjedhjet lokale ishin reflex i asaj që ndodhi në Dibër. Çfarë do ofronte diplomacia jonë në raport me partnerët perëndimorë? Në planin e reformave ne ishim zero”, tha Panariti. 

Për të rivendosur edhe njëherë sistemin në rrugën e duhur, për Panaritin e vetmja mënyra është realizimi i zgjedhjeve të parakoshme, madje që në fillim të vitit të ardhshëm. Ish-ministri i propozon kryeministrit Rama të ndjekë shembullin e Maqedonisë. 

“Për të rivendosur edhe njëherë sistemin në binary duhet patjetër nj zgjidhje, aq më e pakët do jetë fatyra e pasojave që do paguajë vendi. Duhet ndjekur shembulli i Maqedonisë. Kryeminiatri duhet ti drejtohet Kuvendit”, u shpreh Panariti.

Shqipërisë nuk iu hapën negociatat për shkak të vetos franceze, pasi Presidenti Macron kërkon më parë një reformim të unionit përpara se të zgjerohet më tej me vende të tjera nga Ballkani Perëndimor, ndërkohë vetë kryeministri Rama ka pohuar se rruga drejt realizimit të reformave në Shqipëri vazhdon, duke mohuar mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme.