Negociatat, Rama: Në korrik KE në Tiranë/Basha: Dorëhiqu

28 Qershor 2018, 18:25

Seanca e sotme plenare ka qenë e para pas dhënies së vendimit për negociatat për Shqipërinë. Ndryshe nga herët e tjera, që ka bllokuar foltoren, këtë herë opozita ka ndryshuar qëndrim duke kërkuar debat me Ramën.

E ndërsa PD dhe LSI e akuzuan për dështim, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria e mori datën, qershorin e 2019, ndërsa në korrik do të vijë ekipi i KE për procesin analitik.

Rama akuzoi opozitën për baltosje të vendit te ndërkombëtarët, ndërsa shtoi se përgjigjen do ta marrin qershorin e ardhshëm, që janë zgjedhjet lokale. Rama nuk kurseu ironinë dhe talljen me opozitën kur u shpreh ‘O Zot pse nuk e kufizove budallallëkun, pse e le pa kufij’.

Është e pandershme që Zoti nuk e kufizoi budallallëkun, por vetëm inteligjencën. Më thoni, cfarë ka për të diskutuar këtu? Opozita jonë është e vetmja që thotë se Shqipëria dështoi. Sot kam marrë ftesën bashkë me kryeministrin maqedonas për të shkuar në Bruksel për t’u ulur me komisionin dhe për të filluar diskutimin për punën për përgatitore, që është puna e të gjithë procesit analitik për hapjen e negociatave. Këta thonë jep dorëheqjen, do flas edhe me kryeministrin e Maqedonisë dhe e parashtroj këtë kërkesë, por do u kthej përgjigje, kur të jemi pushim. Ne e kemi datën, këta thonë ‘JO’, qershorin e keni problem se atëherë i pësoi të gjitha goditjet. Qershori është hija që iu ndjek, ja do të vijë tjetri, një rrugë edhe punë, t’iu rregullojmë mirë sikur e meritoni dhe të hyjmë në finalizimin e procesit për negociatat. Në korrik vjen ekipi i KE për programin analitik. Është fatkeqësi që nuk kemi opozitë, as për ekonominë dhe as për punësimin. Opozitën e kemi në terren dhe rrjetet sociale. O zot pse budallallëkun e le pa kufij.  Parlamenti me një tufë esadistësh që vetëm baltos dhe nxjerr nga goja vetëm paudhësi. O Zot pse nuk e kufizove budallallëkun, unë po u hap rrugë dhe tani debat të mbarë duke folur me veten tuaj.

Edi Rama

Pas fjalës kryeministri Edi Rama u largua nga salla e Kuvendit, ndërsa fjalën e mori Basha. Lideri i PD e akuzoi kryeministrin se është mashtrues dhe se dështoi me negociatat, të cilët mund të shtyhen sërish sipas tij, nëse deri vitin tjetër nuk do të plotësohen kushtet.

Mashtrues, hajdut dhe i lidhur me krimin si asnjë në këto 28 vite. Nuk dorëzohemi derisa të ngrihemi në nivelin e sfidës dhe të marrim fatet tona në duar. Deri atëherë ky do vazhdojë të pëllasë, të shesë sapunin për djathtë, të shesë mjerimin që rritet dita-ditës, pasigurinë e rrugëve dhe shkollave, mjerimin e shëndetësisë, arsimin në ditën më të zezë si arritje speciale të Rilindjes.  Sot dhe nesër është mbledhje KE, askush përveç KE nuk mund të hapë negociatat. Leqet e gënjeshtrave s’i mbajnë më dhe e la sallën. Ne kemi nevojë për ndihmën e Europës, ndaj hapja e negociatave do të ndihmonte, do sillte më shumë mbikëqyrje e monitorim, që mos të kemi më ministra si Fatmir Xhafaj, apo Polici Shteti, ku gjysma është në kërkim për trafik droge, ministra që vjedhin me kamionë. Kemi nevojë për më shumë Europë. Rama nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë. Në Europë nuk shkohet duke gënjyer e mashtruar, duke kërcënuar, por duke përqafuar të vërtetën. Negociatat janë shtyrë me një vit dhe nëse kushtet nuk plotësohen do shtyhet sërish. Dje mblodhi deputetët dhe ministrat, edhe këta kur u thua ‘fluturon gomari, fluturon thonë’. Por mund të përfundojmë si Koreja e Veriut. Ndaj Esat, Haxhiqamil dhe Hamza kemi vetëm një.

Lulzim Basha

    No videos found.