Kreu i qeverisë Edi Rama këmbënguli gjatë fjalës së tij në Kuvend, se çelja apo jo e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk varet nga detyrat që duhet të kryejë vendi, pasi siç Rama u shpreh Shqipëria është në rrugën e duhur, por e gjitha varet nga politika dhe interesa të brendshme të vendeve anëtare në BE që duhet të japim një votë politike për të mikëpritur apo jo Shqipërinë. Por kjo tha Rama, nuk varet me Shqipërinë konkretisht, por me politikat e disa vendeve anti-zgjerim. Shefi i mazhorancës tha se të gjitha palët duhet të bëhen bashkë për të ardhmen e Shqipërisë, pasi kjo nuk është çështje e një qeverie, por e një kombi.
"Nuk e dimë se çfarë do të thotë Franca, ju e dini se jua ka thënë naltmadhnia e tij atje në fund (i referohet deputetit Kujtim Gjuzi), por sidoqoftë le t'i referohemi këtyre dy kushte, ato të tjerat janë 9, 999, deri kur të vijë dita të kemi plotësuar kushtet.
Ne duam që negociatat të hapen se duam të heqim qafe sa më parë këta që janë në krye, e thoni ju dhe e thonë ata që nuk janë këtu. Deri vjet, ishin zgjedhjet evropiane, dhe ata e thonin copë, por jo para kamerave, të mbarojnë një herë zgjedhjet. Sepse a është gati apo jo Shqipëria, objektivisht e thotë Komisioni Evropian, politikisht e thonë ata që janë më lart, Këshilli Evropian, dhe këtu gjuha rrotullohet sipas interesit. Nuk kam asnjë arsye dhe prirje të them që këta që po na bien në qafë. Sepse nuk e kanë për të na rënë në qafë, ata e kanë problemin me administrimin e situatës së brendshme në vendet e tyre, dhe pastaj brenda BE-së. Malit të Zi kanë një vit që i kanë bllokuar hapjen e një kapitulli, sepse nuk është gati. Nuk po shkojmë në një kishë apo xhami, ku e kemi rrugën të shtruar dhe janë të mirëpritur të gjithë mëkatarët. Po kërkojmë të futemi në një familje interesash të mëdha dhe situatat ku konvergjenca është tejet e vështirë, nuk bëhet me shumicë votash duhet të jenë të gjithë dakord, mjafton të thotë njëri nuk dua, dhe nuk bëhet. Nuk është një udhëtim i kësaj qeverie, është një udhëtim i përbashkët. Nesër do ju vijë radha ju, do jeni këtu, dhe mjaft më 30 vjet duke minuar për të sotmen rrugën e përbashkët të së ardhmes, duke gënjyer gjithë kohës. Të gjithë ata që kundërshtojnë Shqipërinë, janë kundër zgjerimit. Shqipërinë e përdorin si dordolec për të trembur të tjerët për interesat e tyre politike. E dini sa kohë ka marrë Serbia pas PO-së së negociatave? 32 muaj. Ndërkohë që ne duhet të plotësojmë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë dhe Reformën Zgjedhore", tha Rama.