Kryeministri Edi Rama është shprehur në një intervistë për mediat irlandeze se nuk është optimist se cfarë do të ndodhë javën tjetër në Bruksel lidhur me negociatat, nëse do të hapen për Shqipërinë dhe Maqedoninë. "Nuk ka shumë për të qenë optimistë me atë që po ndodh sot në Evropë. Unë jam optimist për të ardhmen e vendit por jo për atë që do të ndodhë javën e ardhshme. Ne jemi dëm kolateral i BE-së. Kur ka bomba diku dhe një kopsht goditet, ne jemi kopshti" tha Rama për Irish Times.
Duke u ndalur te reforma në drejtësi dhe pastrimi i sistemit nga të korruptuarit, kreu i qeverisë shqiptare thotë se “Ne e pastruam aq shumë sa gjykata Kushtetuese është fshirë praktikisht. Dhe tani ata [BE] thonë: 'Mirë, ju e pastruat por nuk keni gjykatë Kushtetuese'.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se Shqipëria nuk po kërkon që të hyjë sot në BE, por të fillojë bisedimet dhe të gjykohet pas 10 viteve. "Ne nuk po kërkojmë të jemi anëtarë të BE javën tjetër. Ne e dimë se nuk mund ta bëjmë atë pa një gjykatë Kushtetuese. Ne po kërkojmë të fillojnë bisedimet e pranimit, që mund të vazhdojë mbase 10 vjet. Pra, atëherë na gjykoni. Pas 10 vitesh do të jetë një vend tjetër dhe do të kemi një shtet që funksionon krejtësisht ndryshe. Unë jam shumë i sigurt për këtë" tha ai.
Ndërkohë që Lulzim Basha, kryetari i PD-së dhe drejtuesi i opozitës ka akuzuar qeverinë dhe drejtësinë. Basha thotë demokratët i kanë dhënë mbështetje reformës në drejtësi, por akuzon qeverinë se ka “minuar, shkelur dhe abuzuar” me procesin.
"Shqipëria është ndoshta vendi i parë në historinë moderne pa një gjykatë supreme, pa një gjykatë kushtetuese, pa një prokuror të përgjithshëm, me një parlament me vende të paplotësuara dhe një kryeministër që qeveris me dekrete pa asnjë limit institucional për pushtetin e tij.
Si rezultat kemi një gjyqësor të paralizuar dhe asnjë politikan apo figurë e krimit të organizuar nuk është përballur me drejtësinë. Përkundrazi, një numër i çështjeve të nivelit të lartë të korrupsionit janë anashkaluar nën ndikimin e qeverisë, duke siguruar pandëshkueshmëri për të akuzuarit" tha Basha.
Ditën e martë në Bruksel do të vendoset nëse Shqipërisë dhe Maqedonisë do i hapen negociatat. Holanda dhe Franca janë dy vendet skeptike që ende nuk kanë vendosur lidhur me faktin nëse dy vendeve të Ballkanit do u jepet mundësia e çeljes së negociatave.