Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të gjithë vendet e huaja, që janë skeptikë për hapjen e negociatave të Shqipërisë në BE, duke ju thënë se vendi ynë nuk mund të bëhet peng dhe të përdoret si 'kokë turku' nga asnjë forcë politike apo individ.
Nga Gjermania, ku pritet të takohet me Kancelaren Angela Merkel për negociatat, kreu i ekzekutivit deklaroi se Shqipëria ka bërë progres befasues dhe për këtë duhet të jetë pjesë e familjes evropiane.
Rama vuri theksin te Reforma në Drejtësi, duke u ndalur te rezultatet e Vettingut, ku tha se deri më tani 21 gjyqtarë e prokurorë të korruptuar janë jashtë sistemit. Gjithashtu, ai u ndal dhe te një tjetër arritje, që sipas tij, është çrrënjosja e kultivimit të kanabisit.
A do binden vendet anëtare për hyrjen e Shqipërisë në BE?
Ne kemi marrë rekomandimin të qartë dhe pa kushte, çka nënkupton që teknikisht kemi përmbushur detyrimet. Detyrat e shtëpisë janë bërë për këtë. Tani është vendimmarrje e bazuar në gjykim politik, dhe këtu ka gjithmonë luftë pasi ka interesa të ndryshme. Shqipëria dua të mos bëhet peng i asnjë dinamike të brendshme e të mos përdoret nga forcat politike dhe individët si një lloj 'koke turke' për të avancuar axhendat që nuk kanë të bëjnë me atë që ne kemi bërë detyrat e shtëpisë.
Besoj se Merkel, që është kampione evropiane dhe e proceseve transformuese, do të jetë në favor të çuarjes përpara të këtij procesi për ne dhe Maqedoninë. Rrugëtimi do të jetë i vështirë, por është thelbësor për të ndryshuar Shqipërinë.