'Nëse buxheti rritet premtoj rezultatet të shkëlqyera', presidenti i boksit: Pas aktviteteve, në disa qytete ka fluks regjistrimesh

15 Tetor 2020, 14:27

Rexhildo Zeneli është vetëm njëri prej atyre që bën krenar boksin në Shqipëri, pasi vlonjati është shumë afër kualifikimit për Lojrat Olimpike të Tokios. Në një intervistë për Report Tv, presidenti i Federatës së Boksit, Florend Kalivopulli thotë se rezultate të tilla janë shumë të vështira për t’u arritur pasi buxheti është shumë i vogël.

“Mesatarisht buxheti është rreth 7 milionë lekë të reja në vit. Jemi munduar me të gjitha mënyrat ne të realizojmë objektivat tona që janë pesë aktivitet kombëtare dhe të marrim pjesë edhe në aktivitete ndërkombëtare. Kjo me shumë vështirësi, mund, duke eliminuar shumë aktivitete ndërkombëtare. Të paktën duhet të kishim dysfishin ose trefishin e buxhetit. Nëse do ishte kështu jam i bindur që ne do kemi rezultate,”-u shpreh ai.

Nëse në futboll një nga karakteristikat është masiviteti edhe në boks kjo nuk mbetet mbrapa.

“Kam vënë re diçka që kur zhvillojmë aktivitete të moshave nëpër qytete, më pas ka një fluks regjistrimesh. Kemi talente, por mosha 18-vjeçare është deçizive në përcaktimin e ecurisë së tyre në sportin e boksit,”-deklaroi ai.

Për shkak se zhvillohet në ambiente të mbyllura boksi, ashtu si volejbolli dhe bastketbolli, por edhe sporte të tjera, ende nuk e ka nisur aktivitetin që prej marsit kur u ndërpre për shkak të pandemisë.

“Kemi qenë në konsultim me drejtuesit e sporteve në ministrinë e linjës sonë dhe sipas bashkbisedimeve që kemi bërë shpresoj që boksi, por edhe sportet e tjera, do hapen,”-tha ai.