TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka takuar në zyrën e tij efektiven e plagosur me kapsolla gjatë protestës së banorëve të Astirit, Ina Nuka.
Gjatë takimit të tyre në zyrën e kryeministrit, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Rama i premtoi efektives një shpërblim financiar që do të jepej me një vendim të Këshillit të Ministrave.
Do të bëjmë VKM për të të thënë një mbështetje financiare që të kesh ndjesinë e plotë të solidaritetit tonë. Besoj që do fillosh pak nga pak edhe punën. Do të kesh detyrë më të lehtë si fillim, pastaj të shohim.
Edi Rama, kryeministër
“Ina Nuka e ka provuar veten se mund të përballojë një sfidë më të lartë në detyrë,” – tha ministri Lleshaj.
Ndërkohë gjatë bisedës, efektivja e forcave “Shqiponja” ka treguar edhe detajet nga operacioni i saj, i cili do t’i mundësojë edhe funksionimin e plotë të dorës pas gjashtë muajve.
“Është bërë impianti dhe gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve. Më kanë marrë një kockë në legen, dhe lëkurë në krah dhe këmbë për të formuar gishtin. Brenda gjashtë muajve do të kem ndjeshmërinë e gishtit ku është bërë impianti dhe më pas do të merrem me fizioterapi që të rikthehet funksioni i dorës. Në fillim mjekët nuk më thanë gjë por më pas më treguan që nëse do të isha vonuar edhe dy orë më shumë do të kisha humbur dorën pasi infektimi nga lëndët plasëse është shumë i shpejtë,”- tregoi efektivja.
Por nuk munguan as batutat mes kryeministrit dhe Nukës lidhur me premtimin e dhënë për një ndeshje basketbolli mes të dyve.