'Nëse kam me vdek, të vdes!' Historia e familjes që i 'ndau' tërmeti...Gjyshja në shtëpinë e dëmtuar, të tjerët në çadër

26 Nëntor 2020, 10:53 | Përditesimi i fundit: 2020-11-26 10:53:44

1 vit pas tërmetit tragjik, 26 nëntori e gjen ende në çadër familjen Murati në Fushë-Milot të Kurbinit.

Gjyshja 87-vjeçare e ka të vështirë të braktisë muret e shtëpisë ndërtuar mes shumë mundimeve, tashmë e kthyer e pabanueshme nga dëmet e shumta që mori nga lëkundjet e fuqishme.

Jo nuk kam frikë. Hap dollapin. Me ra një tërmet tjetër nëse kam pas me vdek, të vdes”, tha e moshuara.

Bonusin e qirasë e kanë përfituar, por për familjen Murati, jetesa në një tjetër ambient që nuk është toka ku ata kanë punën me bujqësi e blegtori.

“Kaluam një dimër me vështirësi boll prej të ftohtit. Kaluam një verë të vështirë boll prej të nxehti. Në një temperaturë shumë të lartë. Mirëpo rrugë tjetër nuk kam ku me shkuar. Kam nënën 87 vjeçe. Edhe fëmijët e vegjël. A jetohet në çadër. Po fry. 5 veta jetojmë nëçadër sepse nëna nuk pranon. Të shembet shtëpia thotë. Kur të doje të më zeje brenda thotë se unë nuk rri në çadër. Nuk mundem me lëviz prej nënës”, tha kryefamiljari Tahir Murati.

“Për të qenëështë e vështirë me qëndruar në çadër. Tani këto punë janë të shtetit. Çdo njëri nuk do me nejt në çadër për të parë të ardhmen e fëmijëve. Në 26 nëntor mbushim një vit. Më ftohtë nuk ka më. Unë vetë jam e sëmurë, azmatike. Fëmijët janë të vegjël. Presin të hanë. Jemi në mëshirë të fatit”, tregoi e zonja e shtëpisë, Dëshira Murati.

Kryefamiljari tregon se kanë muaj që presin që dikush të vijë për ta shembur banesën e dëmtuar, në mënyrë që të fillojë rindërtimi.

“Shtëpia ime është klasifikuar DSI4 dhe kam kontaktuar me bashkinë e Laçit për shembje. Më patën njoftuar për të liruar vendin se do sillnin bazën materiale. Shkula edhe agrumet që kam pas mbjellë në oborr dhe ku vjen puna gjithçka në heshtje. Asnjë lloj shprese nuk kam”, tregoi Tahir Murati.