'Nëse nuk hapet tregu, na jepni pagën e luftës', tregtarët protestë para prefekturës Vlorë

17 Prill 2020, 10:26 | Përditesimi i fundit: 2020-04-17 14:25:50

Tregtarët e tregut të Orizit në Vlorë, të mbyllur nga bashkia pasi nuk respektonte masat e distancimit social duke u kthyer në një burim infeksioni për COVID -19, kanë protestuar sërish ditën e sotme. Ata janë vendosur sot para prefekturës për të marrë përgjigje se kur do të hapet tregu dhe çdo të bëhet me mallin e tyre. Tregtarët ankohen se ato nuk janë lajmëruar më herët nga policia se tregua do të mbyllet dhe për këtë malli i blerë po hidhet rrugëve. Ata thanë se Rama duhet t'u japë një pagë lufte nëse tregu nuk hapet, në të kundërt do të shtihen në rrugë.

"Të na kishin thënë më përpara, këta erdhën pa lajmërim fare. Të thoshin merrni masat se tregu do mbyllet. Kemi blerë gjithë atë mall", tha një tregtare.

"Me çfarë do ushqehemi, e shumta dy ditë u duhet për të vendosur masat dhe tregu të hapet. Asnjë nuk na kanë thënë, nuk po gjejmë një zgjidhje një përgjigje", tha një tjetër tregtare para prefekturës.

"Nëse bashkia për dy apo tre ditë plotëson kushtet do të hapet tregu. Nëse këta e hedhin topin sa andej këndej, atëherë ne nuk do dalim të shkrihem rrugëve pa pyetur se është virus apo jo pasi nuk kemi çfarë të bëjmë, në të kundërt kryeministri të na japë një pagë lufte, nuk kemi çfarë të bëjmë", shprehen tragtarët pas takimit me prefektin.