Nesër 10 vite nga protesta e 21 janarit, Policia e Tiranës kërkon rihapjen e dosjes

20 Janar 2021, 20:44

TIRANË- Policia e Tiranës përmes një kërkese i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës për rihapjen e dosjes "21 Janari".

Kërkesa vjen në prag të 10 vjetorit të 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues të opozitës së asaj kohe. Gazetari i Report Tv, Sokol Dema raporton se kërkesa është specifike për vrasjen e Aleks Nikës, mbetur pa autor, dosje e mbyllur një vit më parë.

Ndërkohë më herët, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla ka paralajmëruar se Prokuroria edhe ka kërkuar hetime të mëtejshme për vrasjen e dy protestuesve Aleks Nika dhe Hekuran Deda. Sipas Ballës, ky hetim nuk duhet të fokusohet vetëm te ekzekutorët, por dhe të urdhëruesit, duke iu referuar ish-kryeministrit Berisha.

Nesër, më 21 Janar 2021, bëhen 10 vite nga vrasja e 4 protestuesve Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, para kryeministrisë, në protestën e thirrur nga Partia Socialiste.