Nesër aktivitete për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, qielli i Tiranës do të mbushet me avionë luftarak

28 Mars 2019, 20:26

Viti 2019 përkon me 10 vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO, më 1 Prill 2009. Në kuadër të këtij përvjetori, do organizohen një sërë aktivitetesh të nivelit të lartë, seminare rajonale dhe NATO, stërvitje kombëtare/rajonale dhe të përbashkëta me NATO, të gjitha nën kujdesin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Së fundmi edhe kryeministri Rama ka publikuar një video në faqen e tij zyrtare të Facebook-ut ku përmblidhen disa nga bashkpunimet dhe kontributet e Shqipërisë në NATO, si dhe një thirrje për qytetarët që ti bashkohen festës së ditës së nesërme.

Përgatitjet për këto aktivitete kanë filluar që prej ditës së sotme.  Në sheshin “Nënë Tereza’’ dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do ketë rreshtim trupash me mbi 2500 ushtarakë shqiptarë, flamurtarë të huaj, mbi 100 mjete ushtarake luftimi dhe helikopterë. Në këtë aktivitet parashikohen të marrin pjesë mbi 150 pjesëmarrës nga Ministra e Mbrojtjes, shefa shtabesh, gjeneralë të vendeve anëtare dhe të komandave të NATO-s, ambasadorë dhe atashe ushtarakë të akredituar në vendin tone, parlamentarë dhe  flamurtarë të vendeve të ndryshme.  Gjithashtu do të ketë një paradë fluturimi të avionëve të NATO mbi Tiranë.