Nesër investigimi III/Privatizimi i Kompleksit Partizani, me cilat burime Jamarbër Malltezi nga 39.500 $ gjendje, financon deri në 2020 investime miliona euro

21 Shkurt 2021, 10:27 | Përditesimi i fundit: 2021-02-21 10:30:55

Nesër, (e hënë) në orën 19.30 ReportTv do të transmetojë pjesën e tretë të investigimit me fakte të bujshme mbi privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani nga i cili ka përfituar familja e Sali Berishës. Në tetor 2006, gati një vit pas rikthimit në pushtet të Sali Berishës, Argita Berisha deklaroi në intervistën e vetme televizive se ajo dhe bashkëshorti Jamarbër Malltezi kishin gjendje në bankë vetëm 39.500 dollarë dhe 2000 euro. Një vit e gjysmë më pas nga kjo deklaratë, Jamarbër Malltezi firmosi një marrëveshje për një investim ne kompleksi Magnet që vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe vlen dhjetëra milionë euro. Ku i gjeti paratë për këtë investim gjigant? Gjithçka nisi me privatizimin e Kompleksit sportiv Partizani, për realizimin e të cilit Sali Berisha përdori të gjitha hallkat e pushtetit të tij të pakufijtë si kryeministër nga nëntori 2005, deri në tetor 2009, kur procedura u kompletua.

26.000 metrat katrorë të kompleksit më të madh sportiv të kryeqytetit që ishte në pronë të Forcave të Armatosura, përfunduan në duar të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Sali Berishës, dhe të një grupi prej 63 ish-pronarësh të tjerë, të cilëve gjithsesi, iu mbeten thërrimet e një pasurie të madhe.

Pasi treguam dokumente ekskluzive të arkivit që hedhin dyshime mbi origjinën e pronës dhe treguam konfliktin e interest përmes të cilit Berisha veproi për të siguruar privatizimin e Kompleksit Partizani, kjo pjesë e tretë e investigimit të Report TV tregon për herë të parë llogaritë financiare të Jamarbër Malltezit dhe dokumente sekrete që tregojnë se si dhëndri i ish-kryeministrit siguron pasuri imobiliare me vlerë miliardash, pa pasur një disponibilitet ekonomik që mund t’i justifikojë.

Mbi atë tokë Jamarbër Malltezi ka ndërtuar faktikisht në 2014 plot 17 kulla dhe është pronar i 35 % të tyre dhe nga fundi i vitit 2020 po ndërton tre kulla të tjera për një sasi prej 45.000 metra katrorë ku është pronar me 50 %. Si arriti të transformojë Jamarbër Malltezi 39.500 dollarë dhe 2000 euro që kishte në llogarinë bankare familjare në 2006, në një pasuri imobiliare miliardere?