Nesër koncerti në ‘Bunk’Art 1’, surpriza pafund për të pranishmit

20 Qershor 2018, 18:08 | Përditesimi: 20 Qershor 2018, 18:08

Dita Botërore e Muzikës më 21 Qershor do ta gjejë kryeqytetin më 21 qershor një super event muzikor në ambientet e Bunkart1 të quajtur "Bunk'Music". Eventi fillon në orën 19:00 në ish sallën e asamblesë në Bunkart1, nga ku do të performojnë grupet si Marsela Cibukaj & Band dhe All In Band. E lumtur që do të çelë koncertin e para në Bunk’Art 1, Marsela Çibukaj premton se do të jap më të mirën për publikun. Nuk janë më pak interesantë edhe dhjetë shokët që studionin në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, anëtarë të grupit All in band. Trompisti 24-vjeçar, Rajkard Bardhi zbulon një pjesë të surprizave

Më tej pas orës 20:00 në parkun e Bunkart1, tifozët do të kenë mundësinë të shikojnë live ndeshjen Argjentinë-Kroaci në një ekran gjigant, ku nuk do të mungojë birra e ftohtë dhe barbekjutë. Pas emocioneve të kësaj ndeshje në orën 21:45 eventi transferohet në pyllin e Bunkart1, ku në një atmosferë magjike do të performojnë live grupe të muzikës rrok Jericho dhe Vitmar Basha & Band. Vitmar Basha, premton se do ta kthejnë Bunk’Art 1 në arenë spektakli.

Kur muzika universale realizohet brenda një vendi që simbolizon një periudhë të errët për Shqipërinë në Bunk’Art 1 merr një domethënie të veçantë për secilin artist. Dhe entuziazmin më të madh do ta ndez Jericho një grup rock i ardhur nga Kosova. “Jericho” njihet edhe për këngët të tjera si: ''Zgjohu'', ''Tomlin e nonës'', ''Kur do t’pushojë kjo kangë'', ''Albanian Rhapsody'' e shumë të tjera. Një natë plot muzikë e emocione futbolli për mos t'u humbur, nga ku hyrja do të jetë falas. Ky event është i mbështetur nga Qendra Ura dhe Bashkia e Tiranës. Për të gjithë ata që dëshirojnë të festojnë 21 qershorin, Ditën Botërore të Muzikës, duke ndjekur “Bunk'Music”, te stacioni i Porcelanit i presin autobusët falas.

b.ha./Shqiptarja.com