Fatura e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti pritet të jetë temë e diskutimeve në seancën parlamentare të ditës së nesërme. Kuvendi, përveç se do të votojë për dhurimin e 17 apartamenteve në pronësi të bashkisë së Tiranës për banorët e dëmtuar nga tërmeti, po ashtu pritet të miratojë edhe disa ndryshime në ligjin për sigurimet shoqërore pasi synohet që nëpërmjet aktit normativ të përcaktohen dy kategori personash përfitues ndër të dëmtuarit.
Kështu, pensionistët, që kanë humbur disa pjesëtarë të familjes, do të përfitojnë pensionin special rreth 60 mijë lekë në muaj për gjithë jetën dhe personat, që kanë humbur të gjithë pjesëtarët e familjes që do të përfitojnë për gjithë jetën 100 mijë lekë çdo muaj nga Sigurimet Shoqërore.
Edhe pse buxheti 2020 pritet të miratohet parimisht në parlament me një shumicë të thjeshtë, ky draft do të pësojë ndryshime thelbësore në komisionin e Ekonomisë kur të shqyrtohet nen për nen. Pjesë e buxhetit 2020 do të jetë edhe një fond që do të parashikohet për programin e rindërtimit të banesave. Sipas kryeministrit Edi Rama, ky fond do të jetë sa 0.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, që në shifra përkthehet përafërsisht në 57 milionë euro. Sipas informacioneve, ndryshime thelbësore do të shënohen në shpenzimet operative. Me ndryshimet e reja, shumica e shpenzimeve të parashikuara do të shkurtohen dhe fondi do të kalojë për rindërtimin e banesave.
Po ashtu pritet të ketë shtyrje me një vit të disa investimeve publike të parashikuara për vitin 2020, duke bërë rialokimin e tyre në fondin e rindërtimit. Sipas ekspertëve Ministria e Financave dhe qeveria duhet të ndërhyjnë në ato projekte që ende nuk kanë nisur.
Ndër të tjera nuk hidhet poshtë mundësia që buxheti i vitit 2020 të shtojë fondin për bashkitë e prekura nga tërmeti, duke iu shtuar transfertën e pakushtëzuar që është një fond i caktuar që i jepet pushtetit vendor nga Buxheti me qëllim kryerjen dhe përballimin e funksioneve dhe veprimtarive të tij. Në total për vitin 2020 ky zë i parashikuar në buxhet është në vlerën e 16,4 miliardë lekëve.