Nesër nis muaji i Ramazanit/ Kreu i KMSH: Iftaret e përvitshme le t'i dërgojnë në ndihma për familjet në nevojë

23 Prill 2020, 15:29

TIRANË- Pandemia e koronavirusit është një sprovë e vërtetë për besimtarët myslimanë në mbarë botën. Ky muaj i begatë vjen në një atmosferë ndryshe, ku do të mungojnë përqafimet mes njëri-tjetrit, pa namaze në xhami, iftare të përbashkëta dhe takime vëllazërore.

Muaji i Ramazanit është muaji i durimit, i dashurisë dhe ky është mesazhi më i fortë që vjen në këto ditë të vështira, kur vendi është prekur nga COVID-19. Një ditë përpara se të nis muaji i Ramazanit, kreu i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj ka uruar besimtarët në të gjithë vendin. "Pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi”, thotë Bruçaj dhe këtë kohë duhet të shfrytëohen sa më mirë duke ndenjur pranë familjarëve, teksa ka vetëm një kërkesë për besimtarët, që iftaret e përvitshme le t'i dërgojnë në ndihma për familjet në nevojë.