Nesër nis vaksinimi masiv/ Manastirliu për Report Tv: Objektiv vaksinimi i 10 mijë qytetarëve në ditë! Do angazhohen dhe infermierë të FA-së

27 Mars 2021, 20:58

#reportTV #lajmeshqip #lajme TIRANË- Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një intervistë për Report Tv ka dhënë detaje nga procesi i vaksinimit masiv, që pritet të fillojë ditën e nesërme. Në sheshin “Skëndërbej” po ngrihen çadra që do të kthehen në qendra vaksinimi, për të përmbushur objektivin për 10 mijë vaksinime në ditë. Ky është qëllimi kryesor, tha Manastirliu, teksa shtoi se sfida është kryerja e deri në 15 mijë vaksinime në ditë që të mund të përfundojë si proces brenda 15 muajve. “Ne kemi një objektiv, duam që të arrijmë rreth 10 mijë vaksinime në ditë, sfida është deri në 15 mijë që të arrijmë planin ambicioz për të mbyllur vaksinimin në 14 muaj. Ky do të jetë një proces, në ditët e para do të jetë shtrirja dhe vendosja e gjithë procedurave tipike të punës. Nesër në sheshin “Skëndërbej”, do të jenë edhe mjekë dhe infermierë të Forcave të Armatosura, në ndihmë të personelit shëndetësorë”, tha Manastiliu. Paralel me procesin e vaksinimit në sheshin “Skëndërbej”, do të vijojë vaksinimi në stadiumin ‘Air Albania’ dhe në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Manastirliu vuri theksin se rolin kyç në këtë proces e kanë mjekët e familjes, të cilët do të jenë ata që do të njoftojnë qytetarët për vendin, datën dhe orën. "Nga nesër nisim një vaksinim masiv, në të gjitha qendrat shëndetësore në vend, tashmë është bërë distribucioni i të gjitha vaksinave që kanë mbërritur, certifikuar nga ISHP dhe Agjensia e Barnave, dhe janë shpërndarë, ndërkohë që në Tiranë, vaksinimi në Arenën Kombëtare do të vijojë, ndërkohë që në sheshin “Skënderbe” do të bëhen vaksinimet për të moshuarit mbi moshën 75 vjeç, duke vazhduar me moshën 70 e më poshtë. Ato që janë +80 dhe +85 vjeç do të vijojë vaksinimi në qendrat shëndetësore, por edhe një pjesë e tyre në “Arenën Kombëtare”, ndërsa ato +75 do të marrin dozën në Sheshin “Skëndërbej”. Ata do të thërriten nga mjeku i familjes, do të jetë ai që do ta lajmërojë për vendin, kohën, orën, kështu kemi bërë për të gjithë ata mbi 80 vjeç, që janë vaksinuar mbi 10 mijë të moshuar, që janë lajmëruar nga mjeri i familjes dhe kështu do të ndodh edhe për ato që janë në sheshin “Skëndërbej” apo edhe qendrat e tjera kudo në vend:, tha ministrja për gazetaren Eliza Gjediku. Për ata që nuk kanë një mjek të familjes, duhet të klikojnë në portalin E-Albania, që të shmangen grumbullimet. “Ata që nuk e kanë këtë informacion se cili është mjeku i familjes që do e thërrasë, duke nisur nga e hëna në E- Albania do të bëhet kërkesa për aplikim për mjekun e familjes dhe jetë ky i fundit që do njoftojë qytetarin se kur do t’i vijë radha për t’u vaksinuar. Kjo për të mos krijuar konfuzion, ne nesër fillojmë në sheshin “Skënderbe”, në këto qendra, të vaksinimit të përqendruar, por qytetarët do të njoftohen nga mjeku i familjes, duhet të shmangim grumbullimet”, shtoi Manastirliu.