Nesër nisin aplikimet për pagën 40 mijë lekë, kush plotëson kriteret njoftohet nga Tatimet

20 Prill 2020, 16:24

Subjektet dhe individët që përfitojnë nga vendimi i qeverisë pagën e jashtëzakonshme prej 40 mijë lekësh mund të aplikojnë nga dita e martë me anë të një formulari “Kërkesë për Përfitim të Ndihmës Financiare 2” tek portal i Tatimeve. Ata që plotësojnë kriteret do të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik në e-filing pranë këtij portal dhe në vijim kështu atyre u jepet mundësia të aplikojnë duke filluar nga data 21 Prill e në vijim.

Sipas administratës tatimore, aplikimi mund të kryhet nga subjekti dhe përfitojnë edhe punonjësit e tij. Ndërkohë, punonjësit që figurojnë në më tepër se në një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagesë të vetme. Të dhënat e llogarisë bankare janë të detyrueshme për t’u plotësuar në formularin e përfitimit të ndihmës financiare, të cilat duhet disponohen nga individët përfitues dhe duhet t’i vihen në dispozicion subjektit, përpara kryerjes së aplikimit elektronikisht në llogarinë e deklarimit elektronik.