Kryetari i PD-së, Lulzim Basha një ditë para protestës së 16 shkurtit ka zhvilluar takimet e fundit në kryeqytet. Fillimisht me një grup studentësh të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe më pas me banorët e Unazës së Re, Basha mbylli takimet e nisura prej disa ditësh në rrethe. Ai i ftoi qytetarët që nesër ti bashkohen protestës së opozitës, ndërsa për Edi Ramën, tha se ka vetëm dy rrugë, ose përpara drejtësisë ose në azil duke iu bashkuar Gruevskit, ish-kryeministrit të Maqedonisë.
"Studentët po përgatiten në kafe, pasi nuk kanë hapësira dhe bibliotekë. Dita e nesërme është dita e studentëve në radhë të parë. Ai i shpërfilli kërkesat tuaja. Rama ka shumë frikë rininë e shkolluar. Nesër shqiptarët e bashkuar si asnjëherë në 30 vite do të marrin faktin e tyre në dorë. Nesër Rama ka vetëm dy rrugë, ose para drejtësisë ose ti bashkohet Gruevskit në azil.
Oligarkët hajdutë nuk kanë vrimë ku të futen. Edi Rama po bëhet gati t'ia mbathë, nesër në Vlorë, pasnesër në azil. Nesër e keni vetë në dorë. Nesër fatin tuaj e bëni ju. Nesër fatin tuaj nuk e ka më në duar një bandë që ka ardhur me votat e krimit, apo ministrat hajdutë, shkaku kryesor që nuk u rriten pensionet, janë ministrat injorantë dhe të korruptuar. Nesër të rrethohet hajdutëria dhe arroganca për të hapur rrugën Europiane për vendin" tha Basha. Opozita e bashkuar nesër do të zhvillojë protestën e paralajmëruar përpara Kryeministrisë duke kërkuar largimin e qeverisë Rama.