Nesër protesta, Kryemadhi: Rama rrethoi 'diskotekën', por do i japim një mësim të mirë

15 Shkurt 2019, 19:22

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka përsëritur për herë të fundit thirrjen për qytetarët që të bashkohen nesër në protestën që opozita do të zhvillojë para Kryeministrisë. Ajo tha se pushteti po përpiqet që të bllokojë rrugët, por shtoi se protesta do të jetë qytetare dhe paqësore.

"E keni parë Ramën si e ka rrethuar atë ndriçimin e vet që e ka si diskotekë. Sikur të kujdesej për shqiptarët sikur kujdeset për neonin te Kryeministria. Ai njeri ka ikur, iku që dje. Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve, ndoshta për atë është kolibja e qenve. Protesta nesër është për ti dhënë një mësim të mirë politikës dhe politikanëve, këtu edhe mua, që vendosin shqiptarët. Hapja e negociatave ka rëndësinë më të madhe sepse Shqipëria ndahet përfundimisht nga e kaluara dhe do të ndajë politikën nga krimi që ka uzurpuar qeverinë dhe parlamentin.

Frika i ka bërë që të bllokojnë rrugën dhe autobusët dhe të kërcënojnë shoferët. Por nuk kanë bërë llogaritë që e gjithë Tirana do të jetë nesër në shesh, nuk ka nevojë për autobusë dhe makina. Nesër unë dal si qytetare, si nënë, si bashkëshorte. Protesta do të jetë paqësore dhe qytetare" tha Kryemadhi