Nesër Ramazani, kreu i KMSH-së: Ktheni vëmendjen te familja, pendohuni për gabimet dhe kërkojini falje Zotit

5 Maj 2019, 17:05

Nesër për të gjithë besimtarët myslimanë fillon muaji i shenjtë i Ramazanit. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu përmes një mesazhi uron besimtarët për muajin e begatë. Ai thotë se agjërimi në Islam është niveli më i lartë i përmirësimit të karakterit moral e shpirtëror, duke i afruar besimtarët me  vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, sinqeritetit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit.

Kreu i KMSH-së shprehet se koha në të cilën jetojmë shfaq probleme të shumta, 'më shqetësuese janë ato që ndodhin brenda familjes shqiptare ku shpeshherë ekuilibrat dhe vlerat lëkunden, duke prishur mbarëvajtjen e jetës shoqërore në tërësi'. Spahiu mbyll mesazhin duke theksuar se ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërueshëm është momenti i duhur ti kërkojmë Zotit falje.

Urimi i Kryetarit të KMSH-së për Muajin e Bekuar të Ramazanit
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.

Nesër me datë 6 maj është dita e parë e Muajit të Bekuar të Ramazanit.

Agjërimi në Islam është niveli më i lartë i përmirësimit të karakterit moral e shpirtëror, duke i afruar besimtarët me  vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, sinqeritetit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit.

Allahu i Gjithëmëshirshëm në Kur’anin Famëlartë, thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El-Bekare, 185).

Të nderuar besimtarë, koha në të cilën jetojmë shfaq probleme të shumta, më shqetësuese janë ato që ndodhin brenda familjes shqiptare ku shpeshherë ekuilibrat dhe vlerat lëkunden, duke prishur mbarëvajtjen e jetës shoqërore në tërësi.