TIRANE- Kuvendi i Shqipërisë ka përgatitur një projekt-rezolutë që do të diskutohet dhe pritet që të miratohet nesër në seancën e jashtëzakonshme që është thirrur në orën 10:00 lidhur me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese. Në projekt-rezolutën që është miratuar pas mbledhjes së konferencës së Kryetarëve dhe që Report Tv e ka siguruar, Kuvendi akuzon Presidentin Ilir Meta se ka tejkaluar kompetencat me vendimin për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare në Gjykatën Kushtetuese, pasi në vendin e saj ishte emëruar automatikisht Arta Vorpsi, pasi kreu i shtetit nuk e ushtroi të drejtën për të zgjedhur nga lista e KED-së. Kuvendi i Shqipërisë u drejtohet të gjitha institucioneve që të mos e zbatojnë dekretin e Presidentit për dekretimin e Xhaferllarit.
"Kuvendi i Shqipërisë pasi u informua se Presidenti i Republikës ka nxjerr dekretin nr.11350, datë 13.11.2019“Për emërimin e Znj. Marsida Xhaferrllari si anëtare e Gjykatës Kushtetuese”,dhe duke konsideruar se ky akt është nxjerrë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe në tejkalim të kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës, veprim i cili delegjitimon fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.
Mosushtrimi i kompetencës brenda 30 ditësh nga Presidenti sjell emërimin si gjyqtar kushtetues të kandidatit të renditur i pari në listën e miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Presidenti ka marrë në mënyrë abuzive kompetencat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili është i vetmi organ që ka kompetencën e renditjes së kandidatëve sipas Kushtetutës dhe ligjit.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organi i vetëm kushtetues që përcakton renditjen e tre të parëve si kandidatë, ndërmjet të cilëve duhet të emërojë ose zgjedhë Presidenti ose Kuvendi. Qëllimi i këtij rregulli kushtetues dhe ligjor është kufizimi i diskrecionit për të tre organet e emërtesës, përkatësisht Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë,për të vendosur brenda renditjes së përcaktuar në vendimin e këtij Këshilli. Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se Dekreti i Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019 është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.
Presidenti ka kryer një akt të paprecedent duke tentuar të pezullojë një proces kushtetues me procedura ligjore administrative. Duke vepruar në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti ka tentuar të bllokojë emërimin/zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që sjell zvarritjen e rifillimit të funksionimit të kësaj Gjykate. Për më tepër, ky veprim synon të ndikojë në cenimin e pavarësisë së këtij institucioni nëpërmjet ndërhyrjeve antikushtetuese e në procedurat e emërimit të gjyqtarëve të kësaj Gjykate" thuhet ndër të tjera në projekt-rezolutë.
Presidenti Ilir Meta futi dje në ngërç ngritjen e Gjykatës Kushtetuese duke dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vendin që ishte zënë nga Arta Vorpsi pas përfundimit të afatit 30 ditor, të presidentit Ilir Meta për t'u shprehur mbi listën e propozuar nga KED. Pas përfundimit të afatit, Vorpsi e cila kryesonte listën e pikëzuar u shpall gjyqtare e Kushtetueses por për të nisur detyrën do duhet të betohet para presidentit i cili u shpreh qartë ditën e djeshme se nuk do të organizojë ceremoninë e betimit për të. Meta tha se KED nuk mund t'i vendosë afate presidentit, duke e quajtur kreun e saj Ardian Dvorani mafioz dhe të përdorur politikisht.