Nesër votimi/ E vërteta e ndryshimeve në Kodin Penal, u propozuan që në 10 janar 2020

15 Prill 2020, 18:27

Një amendament i propozuar nga deputetja e Partisë Socialiste Edlira Bode, për ndryshimin e Kodit Penal, duke parashikuar deri në 15 vjet burg për personat që thyejnë karantinën dhe infektojnë të tjerët me pasojë vdekjen, ka prodhuar debate publike. Deputetët  Rudina Hajdari, Ralf Gjoni, Andi Përmeti dhe Alban Zeneli, si dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i kundërshtojnë këto ndryshime. Ka gjithashtu një pretendim se nismat që kërkojnë shumicë të cilësuar votash nuk mund të miratohen me urgjencë. Po si qëndron e vërteta e ndryshimeve në Kodin Penal? Fillimisht ndryshimet janë propozuar që në datën 10 janar 2020 nga deputetet e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni. Ndryshimet parashikonin ashpërsimin e dënimit për dhunën në familje, konkretisht deri në 10 vite burg për burrat që rrahin gratë në sytë e fëmijëve si dhe për burrat përsëritës.