Nga 15 vite burg tek propozimet e Metës, PS zbut edhe më shumë dënimet për shkeljet mbi COVID-19

16 Prill 2020, 18:36

TIRANE - Parlamenti i Shqipërisë i mbledhur në një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit miratoi sot mes të tjerash ndryshimet në Kodin Penal, që do të thotë se qytetarët që do të thyejnë urdhrat e vendosura nga qeveria nuk do të dënohen vetëm me gjobë, por edhe burg. Ndryshimet në Kodin Penal nga propozimi i parë në datë 9 prill deri në datë 16 që u miratuan sot pësuan shumë ndryshime rrugës. Fillimisht ishte Komisioni i Ligjeve që uli masën e dënimit të përcaktuar për thyerjen e karantinës dhe përhapjes me dashje të sëmundjes.

Por nuk u mbyll me kaq, pasi atëherë kur paketa u drejtua për në Kuvend për t'u miratuar u parapri nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pasditen e djeshme, ku Presidenti Ilir Meta propozoi sërish ulje të dënimeve. Shumica jo vetëm që mori në konsideratë propozimet por zbuti sërish dënimet në paragrafin e Kodit Penal që përcakton pasojat e rënda në rast të përhapjes me dashje të sëmundjes infektive që mbart. Të dy palët si Presidenti dhe PS-ja që e miratoi ranë dakord që nëse sëmundja përhapet me dashje dënohet 2 deri në 5 vite burg.Por, e ndërsa kreu i shtetit propozoi që nëse përhapja e sëmundjes me dashje ka shkaktuar pasoja të rënda të dënohet 3 deri në 8 vite burg dhe nëse është shkaktuar vdekja e një ose më shumë personave të dënohet 5 deri në 10 vite burg, shumica në versionin përfundimtar e ka zbutur akoma më shumë. Drafti që miratoi parlamenti uli propozimin e Presidentit për dënimin maksimal 10 vite burg nëse nga përhapja e sëmundje është shkaktuar vdekja e një ose më shumë personave duke e lënë në 8 vite burg, gjithashtu ka  futur edhe përkufizimin e pakujdesisë duke e filluar dënimin nga gjoba.