Nga 18 nëntori 2020 kush rreh gruan dëbohet nga shtëpia, strehë e përbashkët për burrat dhunues, alkoolistët në spital

4 Nëntor 2020, 17:19

TIRANË- Burrat që dhunojnë gratë apo pjesëtarë të tjerë të familjes, do të dëbohen menjëherë nga banesa duke filluar që nga data 18 nëntor 2020. Kështu parashikojnë ndryshimet në ligjin për masat kundër dhunës në familje, miratuar nga Parlamenti në datën 15 tetor 2020. Ndryshimet janë botuar në Fletoren Zyrtare në datën 3 nëntor 2020, ndërsa hyjnë në fuqi dhe do të zbatohen pas datës 18 nëntor 2020. Konkretisht, ligji i ndryshuar parashikon që, Policia e Shtetit, para se të vihet në lëvizje gjykata, urdhëron largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Ligji i mëparshëm priste vendimin e gjykatës për të larguar dhunuesin nga banesa, kohë gjatë të cilës dhunuesi, kryesisht burrat, vijonin dhunën.