Nga bashkëshorti i Rovena Gashit tek ‘rebeli’ i Vlorës Ken Dhima, lista e re në veting

18 Nëntor 2019, 13:00

‘Kosa’ e Vetingut zbret pas dy vitesh në nivelet e ulëta të gjyqësorit shqiptar. Pas verifikimit të trefishtë për pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, krerëve të të gjitha gjykatave dhe prokurorive, kandidatëve për t’u bërë pjesë e organeve të reja të drejtësisë dhe një pjesa të magjistratëve të Apelit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përzgjedhur një listë me emrat e 48 gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkallës së parë, për t’ju nënshtruar verifikimit.

Në krye të listës është përzgjedhur përmes shortit prokurori i Tiranës Dritan Gina, bashkëshorti i ish-drejtueses së Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi. Zonja Gashi, e cilësuar si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla në Prokurorinë e Përgjithshme, është shkarkuar disa javë më parë nga detyra me vendim të dy shkallëve të Vetingut, për shkak të mosjustifkimit të pasurisë. Në prill të këtij viti, Shqiptarja.com dhe Report Tv, publikuan një raport të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, drejtuar Komisionit të Vetingut, në të cilin thuhej se se Rovena Gashi, është një individ i mundshëm për t’u vënë nën presion nga strukturat kriminale, ndërsa bashkëshorti i saj prokuror, Dritan Gina është implikuar në veprimtari korruptive. “...Pas verifikimeve të kryera për znj. Rovena Gashi, rezulton se, nuk disponohen të dhëna. ...Ndërsa për bashkëshortin e Rovena Gashit, shtetasin Dritan Gina, me detyrë (në atë kohë) drejtues pranë PRGJ Elbasan (gjithashtu subjekt rivlerësimi), disponohen të dhëna për përfshirje në veprime të kundërligjshme, shfaqur në formën e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv të prokurorit...”, thuhet në raportin e DSIK.