Nga bllokimi i zgjedhjeve te përfitimet ekonomike, ja propozimet e Kuvendit për Ligjin e Presidentit

13 Tetor 2020, 20:37

Kuvendi e ka të qartë se në cilat kompetenca të Presidentit të Republikës do të ndërhyjë për të realizuar ligjin organik për Kreun e Shtetit. Në propozimin e bërë nga mazhoranca dhe përfaqësues të opozitës në Kuvend, është paraqitur nevoja për të përcaktuar mekanizma zhbllokues në mënyrë që presidenti i Republikës të mos bllokojë proceset zgjedhore, duke ju referuar kështu dekretit të presidentit Meta për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit që nuk u zbatua nga KQZ.

Kuvendi kërkon të thjeshtëzojë dhe dispozitat për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, një prej konflikteve Kuvend-Presidencë që mori përmasa të mëdha, për të cilin u shpreh edhe Komisioni i Venecias.

Në paragrafin 98 të opinionit të Venecias, thuhet se presidenti Ilir Meta nuk ka kryer shkelje në emërimet në Gjykatën  Kushtetuese, por ky Komision kërkoi që në të ardhmen skema e emërimeve të thjeshtëzohet, duke i dhënë të drejtën e emërimit të njëjtit institucion që ka emëruar fillimisht gjyqtarin që ka dorëzuar mandatin.

Ndër të tjera, grupi i punës kërkon që ligji organik të mund të bëjë një rregullim ligjor edhe për statusin e presidentit dhe familjarëve të tij pas përfundimit të mandatit.  Statusi pas mandatit përfshin privilegje të tjera që përfiton presidenti dhe familja e tij , si thirrja në evenimente të ndryshme, trajtimi financiar dhe protokollar, pika për të cilat sipas grupit të punës, duhet të ketë një rregullim ligjor.

Por përveç çështjeve të cilat synohen të rregullohen në një ligj të posaçëm për presidentin, grupi i punës në Kuvend ka evidentuar dhe problematika të tjera që kanë hasur institucione të ndryshme me  presidencën.

Rezulton se kompetencat e presidentit  dhe raporti i tij me pushtetet e tjera me natyrë kushtetuese, në kohë të ndryshme ka shfaqur problematika të cilat ose janë bërë pjesë e shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese, ose priten të jenë pjesë e shqyrtimi i saj”, thuhet në propozimet.