Nga dorëheqja tek beteja ligjore, Tahiri kontratë 20 mijë euro me kompaninë e lobimit për të rilidhur 'urat e komunikimit' me SHBA

3 Shkurt 2020, 18:27 | Përditesimi: 3 Shkurt 2020, 18:27

TIRANE - Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka angazhuar një kompani lobimi për të vendosur një urë komunikimi me komunitetin politik dhe atë të inteligjencës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i informuar rreth të vërtetës së çështjes së tij si dhe për të hedhur poshtë akuzat mediatike, politike dhe të prokurorisë për përfshirje në trafik droge, të cilat u ‘shfrynë’ nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri, duke e shpallur fajtor vetëm për shpërdorim detyre. Tahiri ka kontraktuar kompaninë ‘Stone Strategic Solution (SIII)’ me seli në Bukuresh, kontratë e cila është raportuar te Departamenti i Drejtësisë, bazuar në legjislacionin e njohur si Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Jashtëm (FARA). Kontrata i ka kushtuar ish-ministrit të Brendshëm 20 mijë euro, të cilat i ka paguar paradhënie. Fushata e lobimit, sipas kontratës, do të zgjasë tre muaj (14 janar 2020 deri më 14 prill 2020), por nuk përjashtohet mundësia e zgjatjes së saj, kundrejt pagesave të tjera.

Më konkretisht, Tahiri kërkon të sqarojë pozicionin e tij, sa i përket dorëheqjes nga qeveria Rama si dhe betejës së tij ligjore, ku aktualisht është shpallur fajtor në shkallën e parë vetëm për shpërdorim detyre. Gjithashtu, sipas kontratës së lobimit, Saimir Tahiri synon që të ndërgjegjësojë personalitete të ndryshme politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e tij, duke iu referuar edhe deklaratave të bëra nga diplomatë të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Sipas Tahirit, deklaratat e diplomatëve mund të kenë ndikuar në vendimet e autoriteteve gjyqësore në procesin ku ai ishte i përfshirë. Në kontratë, mes tjerash, përmenden edhe “fushata e keqinformimit dhe pretendimeve të rreme në media, që në shënjestër kanë z. Tahiri”.

r.k./Shqiptarja.com