Nga Kardhiq-Delvinë te Unaza e Tiranës/10 rrugët që do të përfitojnë fonde nga buxheti i 2020

11 Nëntor 2019, 18:25

Buxheti i Shtetit do të financojë 4.7 miliardë lekë 10 prej segmenteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend. Sipas shifrave të Ministrisë së Financave në vitin e ardhshëm pjesa më e madhe e këtij fondi të parashikuar do të shkojë për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Në buxhetin e vitit të ardhshëm 1.3 miliardë lekë do të shkojnë për këtë aks rrugor, i cili është parashikuar të jepet me koncesion por tenderi u anulua për vitin 2019 pasi buxheti i parashikuar për këtë aks kaloi për vepra më prioritare. Vlera totale e këtij segmenti rrugor është rreth 12 miliardë lekë dhe pritet të përfundojë financimi nga buxheti i shtetit në vitin 2022.

Në vend të dytë, me 757 milionë lekë, është segmenti rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja”, I ndjekur më pas nga aksi tjetër Unaza lindore Loti 2 dhe 3 që do të marrë nga fondi i parashikuar 570 milionë lekë. Të dy këtyre akseve rrugore pritet t’u përfundojë financimi në vitin 2022.

Pjesën më të vogël të financimit do ta marrë rruga Elbasan-Banjë konkretisht 121 milionë lekë dhe financimi i fundit pritet të jetë ky i vitit të ardhshëm. I fundit që do të përfitojë nga financimi i brendshëm është Qafë Thanë-Lin-Pogradec me fonde të parashikuara 65 milionë lekë. Edhe për këtë aks financimi i fundit është vitin e ardhshëm.