Nga kasolla në një shtëpi të re, ja surpriza për Vit të Ri për familjen në Librazhd

4 Janar 2019, 11:13 | Përditesimi i fundit: 2019-01-04 16:20:20

Jetonin në kushte shumë të vështira jetese, në një shtëpi gërmadhë me dërrasa  të kthyer në një kasolle, aty ku familja e vjetër e Xhevat Buzanit ka jetuar 15 vitesh në Librazhd .    

Por, familja Buzani në Çercan të Librazhdit kësaj here kishte për vizitë një mik të veçantë këtë fillim viti të ri për urim dhe për festën e shtëpisë së re.

Përmes një postimi në profilin e tij të  rrjetit social, Taulant Balla ka publikuar një video gjatë vizitës në shtëpinë e re në familjen Buzani, e cila deri para pak kohësh jetonte në një “shtëpi” tërësisht jashtë funksionit për të qenë një banesë ku një familje mund të jetonte.

Në  video buzëqeshja e jetës duket se është rikthyer për familjen nga Librazhdi , ku nuk ka munguar as edhe dreka familjare në të cilën kanë marrë pjesë edhe deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me Kryetarin e bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra.

“Mirëmëngjes ! E filluam vitin 2019 më të gëzuar në familjen Buzani, në Çerçan të Librazhdit, të cilët ky Vit i Ri i gjeti në shtëpinë e re ndërsa tre fëmijët me plot dhurata. Përkrah shtëpisë së re qëndron ende kasollja e vjetër, aty ku familja ka jetuar prej 15 vitesh. Sipas zakonit, për shtëpinë e re, nuk mungoi edhe dreka familjare. Faleminderit të gjithëve që kontribuan dhe në mënyrë të veçantë Kastriotit, Kryetarit të Bashkisë Librazhd, për bashkëpunimin me donatorët në punë të tilla që duan  dhe përkushtim. Jam i bindur që shumë më tepër do të mund të bëjmë për familjet në nevojë gjatë 2019! Qoftë ky vit plot me gëzime dhe më shumë dashuri!”, shkruan Taulant Balla në facebook.