Auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në periudhën janar-prill 2018 kanë konstatuar shkelje nga ana e institucioneve që kapin shumën 35.4 milionë euro. Aktiviteti ekonomik i përfshirë në këto kontrolle është ai i kryer gjatë viteve 2015-2017.
Dëmi ekonomik është i ndarë në dy zëra. Parregullsitë dhe shkeljet financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, në auditimet e kryera në katër muaj rezultojnë me dëm ekonomik në shumën totale prej afro 2.6 miliardë lekësh ose 20.2 milionë euro. Zëri i dytë ka të bëjë me shkeljen e disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej më se 1.9 miliardë lekësh, afërsisht 15.2 milionë euro.
Abuzimet më të mëdha të konstatuara si dëm ekonomik u takojnë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare KESH sh.a, në vlerën 1.594.920.000 lekë, ose 12.3 milionë euro, si pasojë e miratimit nga bordi i ERE-s për marrëveshjen me shoqërinë OST për shërbimet ndihmëse dhe balancimit të sistemit elektroenergjitik dhe si pasojë “privatizimi i magazinës Shkozet” i kryer nga Ministria e Financës dhe ZVRPP Durrës në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Po kështu, dhe nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar, në vlerën 211.358.000 lekë, si pasojë e detyrimeve (të ardhurat e realizuara por të papërdorura) që përbëjnë vlerën e fitimit, të cilat nuk janë derdhur në Buxhetin e Shtetit nga AAC, thuhet në raportin e KLSH.
Një shifër po kaq e madhe dëmi konstatohet dhe nga një hipotekë e vogël. Konkretisht, sipas KLSH, ZVRPP Malësi e Madhe ka shkaktuar dëm në vlerën 234.519.000 lekë si pasojë e mosvlerësimit të vlerës të shitjes dhe dhënies me qira të pasurive të regjistruara dhe kamatëvonesa për regjistrime të vonuara.