Nga mesnata deri në 08:00, qytetarët u kthyen në vendbanimet e tyre

16 Mars 2020, 08:40

TIRANE - Nga mesnata deri në 08:00 të mëngjesit të ditës së sotme, janë rikthyer në vendbanimet e tyre të gjithë ata qytetarë që përpara "shtetrrethimit" kishin dalë jashtë qytetit të tyre.

Ishte vetëm kjo kohë prej 8 orësh që u la e lirë për të qarkulluar të gjithë me makinat e tyre private, ndërsa më tej, nëpër qytete nuk do të lejohet të qarkullojnë automjetet si masë parandaluese ndaj COVID-19.

Në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë theksohej se nuk do të lejohej qarkullimi i automjeteve të shërbimit publik, pra autobusët, përjashtuar shërbimet taksi 4+1 brenda këtij orari.

Sa i përket ditëve të tjera pas të hënës, nga e marta kur do të futet i gjithë vendi në karantinë, lëvizja do të lejohet në 2 orare, në mëngjes 3 orë, nga ora 05:00-08:00 kur njerëzit të shkojnë në punë dhe pasdite, një orë nga 16:00-17:00 kur të kthehen. Përjashtim nga ky ndalim bëjnë mjetet e transportit të pajisura me autorizim të posaçëm nga autoritete kompetente dhe të transportit të punonjësve në institucione publike. Autorizimet e mëparshme të lëshuara deri në datën 15 Mars, policia e shtetit njofton se ju zgjatet afati.