Nga profesorë e artistë tek zv.ministrat, 100 emrat e ekipit të Erion Veliajt për Tiranën

23 Mars 2019, 18:45 | Përditesimi: 23 Mars 2019, 18:45

Pas zyrtarizimit të kandidaturës së kryebashkiakut Erion Veliaj për një mandat të dytë në Tiranë, qytetarët e kryeqytetit janë njohur edhe me emrat e 100 kandidatëve për Këshillin Bashkiak, me të cilët Partia Socialiste do të përfaqësohet në zgjedhjet e 30 qershorit.

Ndryshe nga zgjedhjet e 2015-ës, kur kandidatët për këshilltarë ishin 61 (sa ç’është edhe numri maksimal i Këshillit Bashkiak të Tiranës), kësaj here Partia Socialiste, siç e ka shpjeguar më herët edhe Veliaj, ka sjellë një listë me 100 kandidatë për t’i paraprirë ndonjë bojkoti të mundshëm të zgjedhjeve nga ana e PD-LSI. Por, nga ana tjetër, Këshilli Bashkiak i Tiranës është bërë shpeshherë edhe trampolinë për të kaluar si deputet në Parlament, siç ndodhi në vitin 2017, ku këshilltarë si Elisa Spiropali apo Klotilda Ferhati u zgjodhën deputete të PS-së.