Nga 'proshutë' në ekspozitë arti

14 Mars 2019, 09:11 | Përditesimi i fundit: 2019-03-14 09:13:01

Jo më shumë se 3 vite më parë, dikur veç një derrkuce e vogël, ajo u shpëtua nga thertorja fal talentit të saj në pikturë. Sot dosa me emrin Pigcasso po pushton botën e artit. Pikturat e saj po shiten për mijëra dollarë, madje ajo ka nisur bashkëpunimin me kompaninë zvicerane Swatch, për të dizenjuar rripat e orëve.

Pigcasso sot jeton në një fermë në Cape Town, në Afrikën e Jugut, në pronësi të Joanne Lefson, gruaja që e shpëtoi nga rreziku që të bëhej proshutë dhe biftek. Pasi e strehoi në fermën e saj, Joanne i dha asaj disa furça, kanavac dhe bojra jo toksike, përzierje të panxharit dhe bojës akrilike, të përshtatshme për fëmijët, në mënyrë që dosa të krijonte kryeveprat e saj ekspresioniste abstrakte, të cilat sot shiten nga 500 deri 4000 dollarë.“Pigcasso është shumë ndryshe nga derrat e tjerë. Përveçse ajo është e zgjuar, kurioze dhe inteligjente, ka dhe talent të rrallë në pikturë. Unë jam krenare me të” - shprehet Joanne Lefson.

Biznesi i pikturave deri më tani ka rezultuar mjaft i suksesshëm po të kemi parasysh se nëse do të përfundonte në thertore, nga Pigcasso do të fitoheshin vetëm 500 dollarë kurse deri tani prej veprave të artit janë grumbulluar rreth 145.000 dollarë, madje Joanne ka vendosur që të hap një ekspozitë me veprat e saj. Nga proshutë në ekspozitën e artit, duket njësoj si të thuash se “derrat fluturojnë” /Përgatiti Ilir Çuçi