Nga sot rinisin kurset e patentave, rihapja për autoshkollat me dy faza (Detajet)

11 Maj 2020, 14:03

Nga sot do të nisin pjesërisht aktivitetin e tyre edhe autoshkollat. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ka njoftuar se aktiviteti i subjekteve private që regjistrojnë dhe përgatisin aplikantë për Leje Drejtimi, rritje kategorish, teori e praktikë do të rihapet me dy faza.

Në fazën e parë që fillon nga dita e sotme, do të rinis regjistrimi i aplikantëve të rinj që presin prej 2 muajsh për të filluar kursin për marrjen e patentës. 

Edhe pse do të rinis ky aktivitet duhet të respektohet distanca e sigurisë mbi 1.5 metra si dhe duhet të respektohet, higjiena gjatë teorisë, sikurse edhe në seancat online. 

Ndërsa faza e dytë që nis nga 18 Maji nis ka të bëjë me instruksionin në rrugë ku nuk do të lejohet më shumë se 1 praktikant në kabinë përveç rasteve kur janë familjar. Edhe pjesa e praktikës do të zhvillohet nën masa sigurie  pasi të gjithë duhet të pajisen me maska, doreza, matje temperature e dezinfektant.

Ndërkohë për ata kursantë që iu është ndërprerë kursi i teorisë praktikës për shkak të mbylljes së aktivitetit në 13 Mars, procesi mësimor do vijojë aty ku është ndërprerë.

I gjithë ky proces do të monitorohet hap pas hapi për zbatimin e protokolleve të posaçme të sektorit të kualifikimeve për Leje Drejtimi, nga DPSHTRR - Njësia Operacionale Anti-Covid.